Subjektet serbe nuk garojnë në zgjedhjet në veri

Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – nuk ekzistojnë as kushtet elementare në terren, vlerësojnë përfaqësuesit e subjekteve politike nga radhët e komunitetit serb.

Kjo është arsyeja, sipas tyre, që këto subjekte nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, mbajtja e së cilave është shpallur për datën 18 dhjetor nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vendimin, presidentja Osmani e mori pasi kryetarët e këtyre komunave – nga Lista Serbe – dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin për riregjistrimin. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme; faza e dytë, nga 21 nëntori, parasheh shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh dhe e treta shpërndarjen e targave të përkohshme. Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thënë se afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të vendit, ka nisur më 15 nëntor dhe do të zgjasë deri më 21 nëntor të këtij viti.

Deri në publikimin e këtij teksti, sipas të dhënave që ka REL-i nga KQZ-ja, asnjë subjekt politik apo kandidat nuk ka aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet.

KQZ-ja përcaktoi se fushata zgjedhore do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 16 të atij muaji.

Lista Serbe tashmë ka deklaruar se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Në rrethanat aktuale, “çmenduri të mendohet për zgjedhje”

Subjektet tjera politike serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, Partia Demokratike Progresive, të cilat konsiderohen kundërshtare politike të Listës Serbe, vlerësojnë se në situatën aktuale në veri të Kosovës, pjesëmarrja në çfarëdo procesi zgjedhor është e pamundur për to.

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës me seli në Leposaviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata bëhet edhe më e rëndë në rast se nis shqiptimi i dënimeve ndaj personave që kanë automjete me targa KM, në kuadër të planit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e këtyre automjeteve në targa RKS (Republika e Kosovës).

“Në këto rrethana, kur serbët, potencialisht nga 21 nëntori, nuk do të mund të lëvizin lirshëm me makinat e tyre në veri, do të ishte çmenduri të mendohej për zgjedhje. Ne, në këtë moment, jemi shumë më afër opsionit që të mos marrim pjesë në ato zgjedhje, përveç nëse në dy, tri apo katër ditët e ardhshme, nuk ndryshon diçka rrënjësisht në raportin e Qeverisë në Prishtinë ndaj serbëve lokalë. E kam fjalën lidhur me targat dhe rreziku që ekziston për ndëshkimin e njerëzve dhe konfiskimin e pasurisë së tyre”, tha Jabllanoviq.

“Momenti i keq” dhe “pa kushte për zgjedhje”

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës nuk do të marrë pjesë as Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, me seli në Mitrovicë të Veriut.

Drejtuesi i këtij subjekti politik, Aleksandar Arsenijeviq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se nuk ekziston “atmosferë demokratike” për një proces zgjedhor normal.

“Nuk ekzistojnë kurrfarë kushtesh, fare, për mbajtjen e zgjedhjeve. Unë them se aktualisht në veri nuk ekzistojnë mundësitë për organizimin e ndonjë ndeshje futbolli e lëre më për zgjedhje. Ne nuk do të marrim pjesë. Ne i dëgjojmë qytetarët tanë dhe jemi i zëri i tyre, ndërkaq qytetarët tanë janë pranë vendimit që këto zgjedhje duhet bojkotuar”, thotë Arsenijeviq.

Edhe Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, deklaron për Radion Evropa e Lirë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, sepse, sipas tij, nuk ka kushte për një gjë të tillë.

Ai konsideron se duhet gjetur një vendim politik për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.