Rrahman Jasharaj ia kujton qeverisë se greva nuk është anuluar, por vetëm pezulluar

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për IndeksOnline është shprehur i zhgënjyer përsëri me Qeverinë e Kosovës. Jasharaj bëri të ditur se dialogu ende mungon dhe se është skeptik nëse do t’i përmbushen kërkesat e SBASHK-ut deri në janar.

Ditët e humbura që po zëvendësohen të shtunave, Jasharaj tha se ka qenë urdhërese e njëanshme.

“Mungon komunikimi, ministrja Nagavci edhe pse e nxori atë vendimin për orët e humbura nuk na thirri neve as të tjerët që të merremi vesh dhe u pa se tri të shtunave që pretendohej të mbahej mësimi më një urdhërese të njëanshme, nuk shkoi puna si duhet. I vetmi takim që mund të përmendi është para 2 ditëve kur kryetari i BSPK-së është takuar me kryeministrin dhe presim që të kemi një njoftim nga kryetari ynë për rrjedhën e takimit”, ka thënë Kryetari Jasharaj.

Jasharaj thotë se ligji i pagave nuk është paraparë ne ligjin për buxhet për vitin e ardhshëm.

“Edhe më e keqja është, edhe pse nuk kemi informacion zyrtarë, sepse ne as nuk e kemi parë ligjin për buxhet për vitin e ardhshëm, por na është thënë prej burimeve tona që nuk është paraparë në këtë ligjin e buxhetit ajo pjesa buxhetore që do të mbulonte ligjin e pagave. Edhe nëse e kemi ligjin e kemi kot, sepse ai ligj nuk do të jetë i mundshëm të ekzekutohet sepse qeveria pastaj do të thotë që nuk ka mjete të mjaftueshme për të implementuar ligjin ashtu siç do të votonte edhe parlamenti i Republikës së Kosovës”, vijojë Jasharaj.

Kreu i SBAShK-ut bëri me dije qeverisë se greva nuk anuluar, por është pezulluar, prandaj mund edhe të aktivizohet pasi janari do të vijë.

“Janari do të vijë, qeveria duhet ta dijë që nuk është mbyllur greva është pezulluar dhe ajo mund të riaktivizohet nëse anëtarësia e SBASHK-ut dhe anëtarësia e sindikatave të tjera do të kërkojnë një gjë të tillë”, tha ndër të tjera Jasharaj.