Komisioni Evropian thotë se gabimisht kërkoi që vendet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

Komisioni Evropian të martën ka pranuar se gabimisht ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që t’i vendosin viza Kosovës dhe vendeve tjera konforom politikave të BE-së vizat, në një raport të publikuar më 5 dhjetor.

Nga KE thanë se ky gabim do të përmirësohet në një version të ri të po të njëjtit raport.

Në një konferencë për media, zyrtarë nga Komisioni Evropian kanë theksuar se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se e përkrahin me prioritet, lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami i cili tha se Komisioni i BE-së njoftoi se do të korrigjojë raportin, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën.

“Komisioni i BE-së sapo njoftoi se do të korrigjojë raportin e tij, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën”- ka shkruar Bajrami në Twitter.

Një ditë më herët, ai e quajti të papranueshme kërkesën për viza ndaj Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Evropian publikoi raportin e pestë lidhur me mekanizmin e pezullimit të vizave për vende të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizmim e politikave të tyre me ato të BE-së, në të cilin mes tjerash kritikohen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që nuk kanë ndërmarrë veprime për të harmonizuar politikën e tyre të vizave me listën e vendeve të kërkuara për viza të BE-së, duke përmendur edhe Kosovën.

Hyrja e kosovarëve në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, lejohet me kartë identiteti.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.