PZAP urdhëron KQZ-në t’i rinumërojë edhe 134 vendvotime

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se do ta urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i rinumëron edhe 134 vendvotime,

Përmes një njoftimi për media, PZAP ka njoftuar se rezultati që del nga rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të përfshihet në rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me apelet e paraqitura nga kandidatet për deputet te subjekteve politike ka vendosur që ta urdhëroj KQZ-ne për rinumërimin e 134 vendvotimeve. Rezultati që del nga rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të përfshihet në rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Paneli nuk ka treguar se cilat vendvotime do rinumërohen dhe nuk ka thënë nëse votat që do rinumërohen janë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

PZAP-ja dje ka aprovuar ankesën e Florentina Gjergjajt të AAK-së, që të rinumërohen fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, sa i përket kandidatëve të AAK-së.

Gjergjaj kishte akuzuar publikisht bashkëpartiaken Meliza Haradinaj-Stublla se ia kishte vjedhur votat, derisa kjo e fundit kishte paralajmëruar se do ta padiste Gjergjajn.

Sot, pas gjithë kësaj situate, Meliza Haradinaj-Stublla dha dorëheqje nga AAK-ja, dhe nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.