Dallku flet për kacafytje pas ndeshjes në Suharekë

Pas ndeshjes mes Ballkanit dhe Dukagjinit, ka pasur kacafytje mes skuadrave. Për këtë ka treguar trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku. Ai ka thënë se është vonuar në intervistë për shkak të situatës së krijuar. Në tunel të stadiumit ka pasur përleshje mes lojtarëve pas barazimit 1:1.

“Nuk e kuptoj gjithë këtë presion, gjithë këtë pakënaqësi. Kur përfundon ndeshja nuk mund të kthehet asgjë prapa. Edhe ne kishim pakënaqësitë tona. Këto kacafytjet mes ekipeve nuk janë të mira. Futbolli nuk përfundon sot, do të luajmë prapë me Ballkanin, do të luajmë edhe me skuadra tjera. Nuk është gjë e mirë, por ndoshta në emocion e sipër mund të kuptohen lojtarët, por ne jemi për të qetësuar situatën.

Sa i takon lojës, me pak kujdes do të mund të merrnim pikë të plota. Falënderoj lojtarët për qasjen. Sot kishim shumë mungesa, por ata që luajtën e kanë dhënë maksimumin”, ka theksuar Dallku.