Ia bëri polices me sy, e maltretuan në stacion të policisë, Inspektorati nis hetimet

Një i ri nga Podujeva, me nënshtetësi italiane, ani pse kishe ardhur për pushime në vendlindje, ai po vrapon sa në një institucion të sigurisë sa në tjetrin, për të kërkuar drejtësi për një rast të ndodhur natën e ndërrimit të moteve.

L.Z., 23-vjeç, me 31 dhjetor, rreth orës 04:00 është ndaluar nga Policia e Kosovës për një arsyeje banale. Ai u “akuzua” nga zyrtarët policor se kinse ia ka bërë me sy një polices derisa ajo ishte në kryerje të detyrës zyrtare.

Viktima së bashku me tre shokë me të dalë nga diskoteka “Zona” në Prishtinë, u ndaluan nga katër policë, tre meshkuj dhe një femër.

Ai dhe shoferi u dërguan në Prishtinë për tu intervistuar, ndërsa aty thotë se është ofenduar rëndë dhe është sulmuar fizikisht nga një zyrtar policor.

L.Z., është student i dalluar i ndërtimtarisë, i cili ka ardhur nga Italia për pushime në Kosovë, thotë se këtë rast do ta ndjekë deri në fund.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) është njoftuar për këtë rast ndërsa ende nuk ka informacione nëse janë marrë masa ndaj zyrtarit policor.

“Me 31 dhjetor, rreth orës 04:00 unë dhe tre shokë jemi ndaluar nga Policia afër diskotekës “Zona” në Prishtinë. Ne menduam se po na bëjnë testin e alkoolit por më vonë kuptova se bëhet fjalë krejt për diçka tjetër. Kinse unë ia pasna bërë me sy një polices. Mua dhe shoferin na morën dhe na dërguan në në Prishtinë për intervistë, ku na mbajtën në zyre të ndara për rreth 40 minuta. Njëri nga policët i cili na ndaloi të diskoteka, erdhi në zyre më ofendoi dhe më goditi gjashtë herë me shuplakë me pretendimin se ia kam bërë me sy koleges së tij”, rrëfen i riu nga Podujeva.

Ai thotë se nuk është njoftuar me të drejtat e tij në stacion dhe nuk e di se në çfarë cilësie dhe për cilën vepër penale është marr në pyetje. Atij nuk i është ofruar madje as avokat dhe nuk ka fare raport policor.

“Rasti im nuk figuron askund në raportet policore. Dhe pasi me rrahu polici, në këmbim të lirimit me detyroi t’i kërkoj falje policës për një gjë që nuk e kisha bërë”, ka thënë ai për IndeksOnline.

L.Z., thotë se menjëherë ka shkuar në Emergjencë ku ka marr edhe raportin e mjekut kujdestar dhe më pas e ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për gjithë rastin.

“Inspektorati mund ti marr kamerat nga Policia  dhe aty mund të shoh rastin se si ka ndodhë pasi që edhe në korridor jemi maltretuar”, ka thënë ai.

IndeksOnline ka pyetur IPK-në për këtë rast të cilët kanë konfirmuar se Departamenti i Hetimeve është duke e trajtuar atë.

“Ju konfirmojmë se ankesa e qytetarit në fjalë është pranuar në IPK. Kjo ankesë është trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj rasti është dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së ku do të ndërmerren veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në pergjigjen e IPK-së.

Ndërsa Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për rastin ani pse ata i kanë pranuar pyetjet sot në mëngjes.

I riu nga Podujeva ka thënë se këtë rast do ta ndjekë deri në fund dhe për këtë do të njoftoi edhe Ambasadën Italiane në Prishtinë dhe Avokatin e Popullit.