Policët dhe doganierët që pritet të arrestohen dyshohet se për muaj të tërë pranuan ryshfet në kufi

Gazeta sot raportoi ekskluzivisht për një mega aksion të Inspektoratit Policor të Kosovës në pikat kufitare Qafë Morinë dhe në Qafë të Prushit, ku pritet të arrestohen 48 zyrtarë policorë të dyshuar për korrupsion dhe së paku dy doganierë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë Speciale kanë njoftuar se policët dhe doganierët që do të prangosen dyshohet se për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetareve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Për të njëjtit, PSRK do të kërkojë masën e paraburgimit, pas sigurimit të provave të shumta dhe bindëse, të cilat konfirmojnë korrupsionin për një kohë të gjatë në këto pika kufitare.

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit do të dorëzohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ku pritet të mbahet edhe seanca dëgjimore.