Gjilani dorëzon ankesë, pret 3 pikë në tavolinë për ndeshjen ndaj Dukagjinit

Gjilani i Ismet Munishit ka dorëzuar ankesë në FFK. Ata synojnë 3 pikë në tavolinë për ndeshjen me Dukagjinin.

Sipas ankesës, Gjilanin pretendon se Ahmed Januzi nuk ka patur të drejtë paraqitje në këtë ndeshje.

?????????Ë ???????

Sport Club “Gjilani” njofton opinionin se ka bërë ankesë zyrtare në lidhje me ndeshjen e xhiros së 12-të kampionale të zhvilluar ndaj Klubit Futbollistik “Dukagjini”.

Ankesa i është drejtuar komisioneve përkatëse në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe është e bazuar në të gjitha predispozitat ligjore, teksa konsideron si të parregullt inkuadrimin e Ahmed Januzit, futbollist i skuadrës së Dukagjinit për disa arsye ligjore:

– Futbollisti në fjalë ishte dënuar me dy ndeshje moslojë nga Komisioni Disiplinor i FFK-së me rastin e ndëshkimit direkt me karton të kuq në duelin e xhiros së dhjetë kampional ndaj KF Ballkani;

– Ankesa e Klubit Futbollistik “Dukagjini” ka ardhur pas afateve ligjore, pasi që futbollisti në fjalë nuk është inkuadruar në xhiron e radhës ndaj KF Drenica dhe nuk është trajtuar fare si rast nga organet e FFK-së;

– Komisioni i Apelit nuk ka konfirmuar asnjë mbledhje për të shqyrtuar nëse ka patur ndonjë ankesë apo jo, për më tepër ka konfirmuar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur;

– Vendimi për faljen apo zbutjen e dënimit nga dy ndeshje në një ndeshje ka munguar dhe nuk është prezantuar në ditën e ndeshjes (30/10/2021) nga KF Dukagjini dhe për këtë është informuar edhe delegati i ndeshjes ztr. Flamur Bytyqi nga ana e përfaqësuesve zyrtar të SC Gjilani;

– Vendimi për faljen apo zbutjen e dënimit nuk gjendet në buletinin zyrtar, i cili i’u dërgohet klubeve apo edhe faqen zyrtare të FFK-së (Siç e precizon edhe Neni 84 – Propozicionet e Garave 2021/22);

– Vendimi për faljen apo zbutjen e dënimit bie ndesh dhe thyen çdo rregullore të Garave, apo edhe atë të Disiplinës, pasi që kartoni i kuq direkt është pezullim i menjëhershëm i dy ndeshjeve zyrtare.

Jo zyrtarisht është kumtuar se zbutjen e dënimit e ka bërë Komisioni për Vlerësimin e Gjyqtarëve (Organ që nuk e ka të drejtë ta bëj një gjë të tillë, e aq më pak të lëshojë ndonjë vendim, nëse veçse ekziston një i tillë).

Sport Club “Gjilani” ndodhet në pritje të një përgjigje zyrtare nga komisionet të cilave u është drejtuar, pasi që tashmë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për ta pranuar një gjë të tillë, teksa mbanë të evidentuar ankesën dhe konfirmimin e saj në FFK.

Përmes kësaj komunikate publike, kërkojmë përgjegjësi maksimale nga komisionet përkatëse dhe të sillen konform Propozicioneve dhe Rregullave të Garës, teksa konfirmon se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta dërguar këtë rast deri në fund” thuhet në ankesë./