Ngjarja e rëndë për familjen Avdiu në Shtërpcë, ky është burri që dyshohet se u rrah për vdekje nga djali i tij

Një ngjarje tragjike që ka ndodhur në Brod të Shtërpcës, ku një burrë ka vdekur si pasojë e dhunës brutale që ka përjetuar nga i biri. Përveç babait, i dyshuari ka sulmuar pamëshirshëm edhe nënën e tij, e cila tashmë ndodhet në Spitalin e Ferizajt.

Babai që humbi jetën pasi u rrah për vdekje nga i biri, sipas burimeve brenda Emergjencës është Izet Avdiu, i cili nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve që pësoi si pasojë e goditjeve.

I ndjeri ishte dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, por fatkeqësisht intervenimet kanë qenë të pasuksesshme.

Sipas informatave të para, edhe gruaja e viktimës, nëna e të dyshuarit, e cila po ashtu është rrahur, ndodhet në Emergjencë dhe ende nuk dihet për gjendjen e saj shëndetësore.

Siç mëson Sinjali, Policia është njoftuar nga spitali për rastin dhe së shpejti pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Gazeta Sinjali ka tentuar ta konfirmojë rastin edhe nga Policia rajonale në Ferizaj, por ende s’ka marrë përgjigje.