Rrahje në burgun e Dubravës, një person e bën për spital të burgosurin 26-vjeçar

Përleshjet mes të burgosurve në qendrat korrektuese në vendin tonë nuk janë edhe aq të rralla. Raste të tilla e incidente të tjera, siç është ikja e të dënuarve janë goxha të shpeshta, sidomos në Burgun e Dubravës,

Një rrahje ka ndodhur së fundi në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i ri dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një i burgosur.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në shëtitoren e burgut, ku 26-vjeçari dyshohet se është goditur nga i dyshuari dhe më pas është rrëzuar përtokë.

Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar lëndime të dukshme në fytyrë dhe kokë dhe si rrjedhojë ka marrë tretman mjekësor.

Për rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë shoqëruar për intervistim të dyshuarin dhe në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë edhe kamerat e sigurisë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’.