Ndërron jetë Martti Ahtisaari

Ka ndërruar jetë, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Lajmi është dhënë nga presidenca finlandeze.

“Martti Ahtisaari ndërroi jetë më 16 tetor 2023 në orën 06:40 në Helsinki.Presidenti Ahtisaari ishte 86 vjeç kur vdiq. Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së” thuhet në njoftimin e presidencës finlandeze, shkruan Indeksonline.

Martti Oiva Kalevi Ahtisaari shërbeu si President i Republikës së Finlandës në vitet 1994–2000. Ai ishte presidenti i dhjetë i Finlandës. Para presidencës së tij, ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe në Kombet e Bashkuara.

Ahitsaari është emër i njohur edhe për rrugën e shtetësisë së Kosovës. Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit. Ky plan kishte sjellur pakënaqësi të madhe edhe tek politika kosovare, sidomos tek opozita që kishte organizuar protesta të mëdha për kundërshtimin e këtij plani.