Natë e rëndë mbrëmë për Podujevën, dy 17 vjeçarë humbasin jetë në trafik

Nata e kaluar ka qenë e zezë mbrëmë për Podujevën. Brenda dy orësh janë regjistruar dy viktima në trafik. Fillmisht vetura ka goditur për vdekje një 17 vjeçare në fshatin Gllamnik.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se viktima është B.Aliu nga Batllava.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti duke drejtuar automjetin, dyshohet që nga pakujdesia ka goditur këmbësoren femër kosovare. Si pasojë e lëndimeve viktima ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Dy orë më pas, një vetaksident në Podujevë ka përfunduar më një viktimë. “Raportohet se ka ndodhur një vet aksident trafiku, ku si pasojë tre persona meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK , ku njeri prej tyre ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë. Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se viktima është 17 vjeçari Dorëart Aliu.