Nezir Mehmetaj vazhdon të jetë i ndaluar në Serbi, familja dhanë mbi 20 mijë euro kaucion

Që nga data tre janar, kosovari Nezir Mehmetaj vazhdon të jetë i ndaluar në Serbi.

Policia serbe ndaloi në pikën kufitare në Merdare, Nezir Mehmetajn pavarësisht se atij iu lejua hyrja në Serbi, ku edhe po shkonte për shkaqe shëndetësorë të babit të tij.

Në kohën kur Mehmetaj po kthehej me familjarët e tjerë në kufi, atij iu ndalua kthimi në Kosovë.

Që nga kjo ditë, familjarët mbeten në pritje të kthimit të tij. Mehmetajt iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa nga autoritete kosovare nuk është ndërmarrë ndonjë vendim për kthimin e tij në vend.

Lidhur me zhvillimet në këtë rast, Indeksonline ka kontaktuar vëllain e Nezirit, Valon Mehmetaj.

Ai tha se ende nuk ka asgjë të re lidhur me rastin, por që presin deri të hënën që ai të dalë para gjyqit serb.

Madje Valon Mehmetaj ka deklaruar se iu është dashur t’i japin 20 mijë euro për kaucion, plus paratë e tjera të cilat janë dhënë për tre avokatët mbrojtës që ka ai.

“I kanë marrë 20 mijë euro për kaucion, plus paratë që janë dhënë për avokat. Megjithatë pavarësisht premtimeve nuk ka sen. Janë dhënë disa data për lirimin e tij, por ende asgjë. Jemi në pritje tash edhe dy tri ditë të përfundon 30 ditshi e diçka tjetër s’ka. Nuk ka qenë ndokush me vizitu, përpos avokatëve sipas tyre mirë është, mirë thonë se mirë s’është atje, por nuk ka lëvizje diçka, premtime primitive veç. Ky proces është blloku. Nuk ka mund as me na telefono asnjëherë prej që është ndaluar në Serbi”, tha Mehmetaj.

Ai theksoi se kontaktin e vetëm nëpërmjet zyrtareve e kanë nga një zyrë ndërlidhëse që është në Beograd, e përfaqësuesi i kësaj zyre edhe e ka vizituar Mehmetajn, por që zyrtarisht nga shteti i Kosovës nuk ka pasur asgjë.

“Pra s’është ndërmarrë asgjë në këtë rast. Pritet që të hënën ai të dalë para gjyqit, në bazë të afatit kohor pra para se edhe të mbyllet ky afat kohor shpresojë. Nuk ka diçka tjetër, ne kemi shpresuar që zyrtarët e shtetit të ndihmojnë e që shteti  të bëjë diçka, apo së paku të gjykohet në Kosovë. Familja ka prit më shumë përkrahje prej shtetit, por deri tani s’ka pas asgjë”, shtoi ai.

Ndryshe Indeksonline për disa ditë radhazi ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me çështjen e Mehmetajt, por që këta të fundit nuk janë përgjigjur.