’18 qershori’ gati për super derbin, Dukagjini kurr më afër daljes në Evropë

Dukagjini i Klinës është befasia më e këndshme e këtij edicioni në Albi Mall Superligë.

Skuadra e udhëhequr nga Armend Dallku po kërkon daljen për herë të parë në Evropë dhe është në rrugë të mirë për ta bërë këtë.

Klinasit ndodhennë vendin e pestë në tabelë me 40 pikë, gjashtë më pak se i treti që është Gjilani dhe vetëm një më pak se Prishtina.

Në kuadër të xhiros së 31-të, Dukagjini pret kampionin në fuqi Ballkanin, ku kanë krijuar një rivalitet të fortë kohëve të fundit.

Klinasit dhe suharekasit janë përballur tre herë këtë edicion, ku një fitore i ka takuar Ballkanit 1-0 dhe dy sfidat e tjera kanë përfunduar baras 1-1.

Madje dueli i fazës së tretë ka qenë shumë i tensionuar pas përfundimit ku kishte edhe përleshje mes vendasve dhe mysafirëve në tunel të stadiumit.

Gjithsesi dy skuadrat përballen të dielën në Klinë me synime të kundërta, ku vendasit kërkojnë fitoren për Evropën derisa Ballkani për titullin.

Stadiumi ’18 qershori’ në Klinë duket në gjendje perfekte para duelit që dy skuadrat do ta zhvillojnë të dielën me fillim nga ora 15:00.