Majorit kosovar i futen hajnat në shtëpi, ia vjedhin edhe armën zyrtare!

Majorit të Policisë së Kosovës, Bajram Kolic i janë futur hajnat në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur dy natë më parë në fshatin Banjë të Istogut.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se majorit i është vjedhur edhe arma zyrtare të cilën e kishte në shtëpi.

Hajnat kanë arritur që nga shtëpia e Kolic të marrin edhe para të gatshme dhe stoli ari. Kolic është një nga drejtuesit kufitar të pikës në Kullë, ndërsa në momentin e kryerjes së vjedhjes, ai nuk ndodhej në shtëpi.

Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se, të dyshuar të pa njohur me forcë kanë hapur derën e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur para të gatshme dhe stoli ari. Gjatë kohës kur është kryer vjedhja nuk ndodhej askush në shtëpi. Rasti duke u hetuar nga njësitë relevante” thuhet në njoftimin e Policisë.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me viktimën Kolic, i cili ka thënë se për informata të tjera të kontaktojnë zyrën e informimit të Policisë së Kosovës