MFTP-CEB arrijnë marrëveshje në vlerë 25 milionë euro për familjet e cenuara në Kosovë

Ministri i Financave Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli nënshkruan sot marrëveshje me vlerë 25 milionë euro për krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës të banimit social, i cili ka në fokus familjet e cenuara me të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.

Marrëveshja parasheh shndërrimin e ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta, si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale.

Ministri Murati tha se projekti për banimin social do të garantojë akomodim të përballueshëm për familjet e cenuara, ndërsa guvernatori Monticelli deklaroi se kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës.

Të dyja palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurt.