Lista Serbe përmes një komunikate mundohet të përhapë panik tek serbët në veri, kanë një kërkesë edhe për KFOR’in

“Pas kërcënimit publik se serbët dhe anëtarët e Listës Serbe do të “paguajnë dhe vuajnë” në Kosovë, ndaj komunitetit tonë dhe anëtarëve të Listës Serbe po ushtrohet “presioni më i tmerrshëm” nga regjimi i Albin Kurtit”, thuhet në një kumtesë të kësaj partie, përmes të cilës mundohen të përhapin panik tek qytetarët në veri.

Komunikata pretendon se “pas rrahjes së të rinjve në Graçanicë, arrestimit “të padrejtë” të tre serbëve, sot herët në mëngjes janë hedhur mjetet shpërthyese në shtëpitë e familjes së Srgjan Ristiqit, drejtorit të institucionit parashkollor në Ranillug, Vlladica Aritonoviqit, nënkryetarit të Ranillugut dhe Zoran Ristiqit, drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Ranillug”.

Siç pretendojnë ata, “fatmirësisht në këto tre sulme ekstremiste nuk ka pas asnjë të vrarë apo plagosur”.

“Në kohën e këtyre sulmeve të tmerrshme, nëpër shtëpi kishte familje të tëra, madje edhe fëmijë. Është e qartë se kërcënimi i shprehur publikisht nga Albin Kurti është thirrje ndaj ekstremistëve për përballje përfundimtare me komunitetin serb dhe Listën Serbe, dhe se këto sulme janë pjesë e një plani më të gjerë të dëbimit të popullit serb nga këto hapësira. Sulmi ndaj përfaqësuesve të serbëve dhe familjeve “të shquara” serbe u dërgon mesazh të gjithë serbëve që të mos planifikojnë jetën e tyre këtu, që do të thotë, se duhet të largohen sa më shpejt nga Kosova sepse ata dhe familjet e tyre janë në shënjestër”, pretendohet në propagandën e Listës Serbe.

Lista Serbe kërkon që forcat ushtarake ndërkombëtare, KFOR-i dhe EULEX-i, “të qëndrojnë në mbrojtje të komunitetit serb, i cili nuk mund të përballojë presionet e regjimit të Prishtinës”, edhe pse ishin pikërisht kriminelët nga po ky komunitet serb të cilët kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.