Qeveria deklarohet për takimin e Kurtit me Chollet, s’jep shumë detaje për diskutimin mbi dialogun

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, duke takuar krerët shtetërorë. Fillimisht, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti,

Pas takimit me kryeministrin, ZKM ka lëshuar një njoftim, ku ka treguar se çka është diskutuar, pa dhënë shumë detaje mbi temën e dialogut.

Shkurtimisht, u bë e ditur se “U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.”

Në njoftim po ashtu thuhet se “kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.”