A do ta lejojë SHBA’ja Albin Kurtin ta përdorë masën e reciprocitetit ndaj Serbisë

Kryeministri Albin Kurti mori përkrahje publikisht nga emisari i Presidentit Trump, Richard Grenell. Diplomati amerikan thotë se “Albini e ka mirë” për heqjen e taksës. Megjithatë ai nuk e përmend asnjëherë fjalinë e dytë të Kurtit: Vënien e reciprocitetit. Partnerët e Kurtit nga LDK janë të vetëdijshëm se kanë të bëjnë me një çështje të ndërlikuar. A do të arrijë Kurti t’i vërë Serbisë pengesat e njëjta që ajo ua bën kosovarëve?

Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, i ka dhënë mbështetje Kryeministrit Kurti vetëm për heqje të tarifës, që ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte vendosur për produktet e Serbisë, por asnjëherë nuk e ka përmendur reciprocitetin.

Zyra e Grenell thotë se e vetmja përgjigje për cështjen e zëvendësimit të tarifës ndaj mallrave serbe me reciprocitet ndaj Serbisë gjendet në postimin e sotëm të diplomatit amerikan, ku ai iu drejtua kreut të PDK’së, Kadri Veselit, për t’i thënë se Albin Kurti e ka mirë dhe taksa duhet hequr.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që ta heqin taksën 100%. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, ka shkruar Grenell.

Partneri i Kurtit, Isa Mustafa ka thënë dje se reciprociteti është kompleks dhe ka pasoja shumëdimensionale, e që qeveria duhet të gjejë rrugë më të mirë me të cilën pajtohen SHBA dhe Bashkimi Evropian.

“Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA dhe BE”, ka deklaruar Mustafa.

Analisti Blerim Vela thotë se Kurti mund ta marrë bekimin e SHBA’së për të marrë vendosur reciprocitet, vetëm nëse kjo nuk është pengesë tjetër.

Vela thotë se SHBA’ja dhe BE’ja mund ta përkrahin Qeverinë Kurti vetëm nëse ai e heq taksën e i lë hapësirë rinisjes së negociatave.

“Padyshim se reagimi i SHBA-ve, institucioneve të BE-së dhe shteteve evropiane do të varet nga natyra, shtrirja dhe pasojat e politikës së reciprocitetit në vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse masat e reciprocitetit shihen si pengesë për rifillimin e negociatave apo mbarëvajtjen e tyre, ato do të kundërshtohen nga SHBA-të, institucionet e BE-së dhe shtetet evropiane” ka thënë Vela.

Kurti ka thënë se nuk do ta heqë taksën pa e vënë reciprocitetin, sepse sipas tij, s’duhet të krijohet zbrazësi mes këtyre dyjave.

Analisti Vela thotë se nëse Kurti e do përkrahjen e SHBA’së, atëherë ai duhet të lë hapësirë pasi të hiqet taksa për rifillimin e dialogut.

“Qeveria e re mund të pres në mbështetjen e SHBA-të, institucionet e BE-së dhe shtetet evropiane nëse para vendosjes së reciprocitetit krijohet një mundësi kohore për rifillimin e negociatave apo edhe hyrja e reciprocitetit në fuqi lidhet me mossuksesin e procesit negociator mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë analisti.

Ndërkaq analisti Artan Murati thotë për Gazetën Express se heshtja e SHBA’së dhe BE’së në lidhje me vendosjen e masave të reciprocitetit tregon që nuk po u pengon zotimi i Kurtit dhe LDK’së për reciprocitet dhe se për ta është e rëndësishme vetëm rinisja e dialogut, që është ndërprerë nga Serbia për shkak të tarifës.

“Meqenëse SHBA, BE apo edhe vetë Serbia nuk janë duke komentuar idenë e reciprocitetit, kjo nuk do të paraqes anjë problem për z.Kurti të ndërmarr një veprim të tillë. Ideja e SHBA-së është që fillimisht t’i kthej në negociata palët, e më pas të tentoj të paraqes vizionin e saj sa i përket normalizimit të mardhënieve mes dy shteteve”, është shprehur Murati.

Ndryshe dy ditë më parë pas takimit me Kurtin, shefja e BE’së Nataliya Apostolova as nuk e ka kundërshtuar e as nuk e ka mbështet reciprocitetin ndaj Serbisë.

Opozita po e kundërtshton heqjen e taksës ndaj Serbisë, për cfarëdo arsye. Autori i vendosjes së taksës, RAmush Haradinaj, dje i ka shkruar letër Kurtit ku i ka kërkuar që të mos e heq taksën pa marrë njohje të shtetësisë nga Serbia.

Edhe Kadri Veseli tash i kërkon Kurtit të mos e heq taksën, e Grenell ka zgjedhur pikërisht kreun e PDK’së që t’i tregojë se kryeministri i Kosovës e ka përkrahjen e amerikanëve.

Analisti Vela thotë se Qeveria Kurti duhet të jetë e kujdesshme para vendimit për reciprocitet ndaj Serbisë sepse kjo prek secilën fushë prej qarkullimit të njerëzve e deri në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Vendosja e reciprocitet në parim nënkupton jo vetëm ndryshim të raporteve në tregtare, por edhe ridefinim i raporteve në cdo fushë tjetër si qarkullimi i njerëzve, transportit, arsimit, shëndetësisë dhe anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, qeveria e re nuk ka sqaruar nëse synon që në fillim të zbatoj reciprocitet të plotë apo do të ketë një qasje përshkallëzuese në varësi nga vullneti i Serbisë që të jetë konstruktive ndaj Kosovës në fushat përkatëse”, ka thënë Vela