Kurti dhe Elezaj vizituan fshatin Stup për të parë dëmet e shkaktuara nga erërat e forta

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga kryeministri, Albin Kurti dhe nga ministrat Hykmete Bajrami dhe Besian Mustafa, si dhe Kryesuesin e Kuvendit, Fadil Gashi dhe drejtorë të Drejtorive të Komunës, kanë vizituar sot fshatin Stup, për të parë nga afër demet e shkaktuara si pasojë e erërave të forta.

Me këtë rast, Kryetari Elezaj ka falënderuar Kryeministrin Kurti për vizitën dhe e ka njoftuar atë dhe qytetarët, se Komuna ka formuar një komision për evidentimin e dëmeve
Elezaj ka kërkuar nga Kryeministri Kurti mbështetje për të i ndihmuar qytetarët për rregullimin e objekteve të dëmtuara, përcjell InfoKomuna.

“Qytetarët kanë pasur dëmtime të mëdha sidomos nëpër pullaze, në bujqësi ka dëmtime pra në sera. Ka edhe në objekte shkollore publike. Kryesisht rrjeti elektrik ka dëmtime të mëdha, kemi qenë edhe pa rrymë por sot jemi më qetë”, theksoi Kryetari Elezaj.

Ndërsa Kryeministri Kurti, pasi pa dëmet që shkaktoi era në këtë regjion shprehu gatishmërinë e qeverisë për të ndihmuar komunën dhe qytetarët.

“Kryetari i Klinës më njoftoi se kanë krijuar një komision për evidentimin e dëmtimeve dhe posa të dalim me një regjistër të këtyre dëmeve si qeveri e Republikës së Kosovës do shqyrtojmë se çka mund të ndihmojmë duke pasur parasysh nevojat më urgjente”, tha Kurti.