“Me besim në Zot, atdhe e shtet”, ish-komandanti i akuzuar për fajde ishte nderuar me medalje nga Haradinaj

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Veseli, i cili po akuzohet për fajde në të kaluarën ishte nderuar me medalje nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në muajin mars të vitit 2021, Haradinaj i ndau ish-komandantit, Veseli medaljen “me besim në zot, atdhe e shtet”, duke e falënderuar atë për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.

Haradinaj shkruante se Azemi, ishte prej luftëtarëve të orëve të para, që udhëhoqi me sukses Brigadën 133 “Adrian Krasniqi”.

Ish-komandanti i Brigadës 133 ”Adrian Krasniqi”, në zonën e Dukagjinit, Azem Veseli u arrestua me 16 shtator të vitit 2021 nga Policia e Kosovës. Ai po dyshohet për veprën penale “Fajde”. Për këtë vepër, sot Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Hazir Tahirsylajt e Artin Çekajt. Ky i fundit dyshohet edhe për veprën penale, ‘kanosje’. Gazeta Insajderi ju sjell detajet e aktakuzës.

Sipas prokurorisë, të pandehurit, Hazir Tahirsylaj dhe ish-komandanti i UÇK-së, Azem Veseli nga janari i vitit 2020 e në vazhdimësi deri më datë 15 shtator të vitit 2021, i kanë dhënë shuma të ndryshme të parave me kamatë viktimës.

Dëmet që dyshja ia shkaktuan viktimës nuk janë të vogla. Bazuar në aktakuzë, viktima u dëmtua në vlerë prej 25 mijë euro.

“I pandehuri H.T, nga muaj janar 2020 e në vazhdimësi deri më datën 15.09.2021 në Deçan, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit i jep këtij të fundit para me kamatë në shuma të ndryshme, me vlerë të përgjithshme 18.200 €, për të cilat i dëmtuari çdo fillim të muajit deri me datën 3, me përjashtim të vonesave për të cilat gjobitej, paguan nga 2.000 € fajde, ashtu që deri më datën 15.09.2021 i pandehuri H.T, realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000 € pa e llogaritur shumën bazë ku së bashku me të i pandehuri ia kërkon edhe 25.000 € dhe ia ndal fajdenë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ish-komandanti, Azem Veseli, në fillim të muajit janar 2020 në fshatin Llabjan Komuna e Pejës, sipas prokurorisë duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, i jep atij para me kamatë në vlerë të përgjithshme 10.000 €.

Mirëpo për shkak të vonesave ia kërkon 15.000€, për të cilat i dëmtuari në emër të kamatës, duke përjashtuar vonesat, çdo muaj paguan nga 2.200€ dhe atë 1.000€ çdo fillim muaj dhe 1.200€ me datën 16 të secilit muaj, për çka deri me datën 15.09.2021 i pandehuri Azem Veseli, realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000€ dhe ia kërkon edhe 5.000€ fajde dhe 10.000€ të borxhit.

Përveç tyre edhe Artin Çekaj, po akuzohet përveç fajdes edhe për kanosje. Çekaj ka organizuar takime dhe me dashje ka ndihmuar të pandehurin, Hazir Tahirsylajn për të kryer veprën penale “Fajde” nga janari i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021.

“Po ashtu, i pandehuri Çekaj akuzohet edhe për veprën penale “Kanosje”, sepse më datë 15 shtator të vitit 2021, kanos seriozisht viktimën derisa ishe me të njëjtin në veturë, për t’u takuar me të pandehurin H.T., gjatë rrugës e kanos seriozisht me fjalë se do t’i shkaktoj një të keqe”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se tre të pandehurit secili veç e veç kanë kryer veprat penale të cilat ju vihen në barrë. Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.

Ndërkohë, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të akuzuarve t’u bëhet sekuestrimi i përhershëm i pasurisë, përfshirë pronat, veturat dhe parat të cilat janë përfituar përmes veprës penale apo kanë mundësuar kryerjen e saj.

Theksojmë se në këtë çështje penale ka filluar të aplikohet Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.