Vrasja e 30 vjeçarit në Pakashticë, prokuroria: Dyshohet se ndodhi nga pakujdesia

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit në fshatin Pakashticë të Podujevës.

Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”  nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se rasti po hetohet si vrasje nga pakujdesia.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka thënë për Reporteri.net se i dyshuari i arrestuar po ashtu është ndaluar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Lidhur me këtë rast për të cilin keni parashtruar pyetje ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores së çështjes viktima është dërguar në IML, për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore.

Ndryshe, sipas raportimeve në media, viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete.