“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” i reagon komunës së Pejës për prerjen e drunjëve

“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” i ka reaguar komunës së Pejës, pasi kjo e fundit këto ditë ka bërë prerjen e rreth 40 drunjëve në sheshin Shkelzen Haradinaj.
‘Ky veprim jo vetëm që shkel parimet e transparencës dhe përfshirjes që duhet të karakterizojnë çdo veprim administrativ, por edhe dëmton rëndë mjedisin urban dhe cilësinë e jetës së banorëve të Pejës.’-thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:

“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” shpreh shqetësimin e thellë për veprimet e fundit të ndërmarra nga Komuna e Pejës, ku në mënyrë të papritur dhe pa asnjë paralajmërim apo konsultim me komunitetin, afër 40 drunj u prenë në sheshin Shkelzen Haradinaj. Ky veprim jo vetëm që shkel parimet e transparencës dhe përfshirjes që duhet të karakterizojnë çdo veprim administrativ, por edhe dëmton rëndë mjedisin urban dhe cilësinë e jetës së banorëve të Pejës.
Prerja e këtyre drunjve nuk është vetëm një humbje për gjelbërimin e qytetit, por edhe një shembull i qartë i mungesës së kujdesit për mjedisin dhe për proceset që garantojnë vendimmarrje të informuar dhe të përfshirë. Drunjët e mëdhenj ofrojnë oksigjen, reduktojnë ndotjen e ajrit, ofrojnë strehë për biodiversitetin dhe luajnë një rol të rëndësishëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ata gjithashtu kontribuojnë në shëndetin mendor dhe fizik të komunitetit, duke ofruar një hapësirë për rekreacion dhe qetësi në një botë gjithnjë e më të urbanizuar.
Ne kërkojmë transparencë nga Komuna e Pejës për vendimin e tyre dhe përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
– Pse u mor ky vendim në mënyrë kaq të fshehtë dhe pa pjesëmarrjen e komunitetit?
– Cilat janë arsyet specifike që justifikojnë një veprim kaq drastik si prerja e këtyre drunjve?
– Çfarë masash do të ndërmarrë Komuna për të kompensuar për këtë humbje të madhe mjedisore?
Ne gjithashtu bëjmë thirrje për mbështetjen e institucioneve qendrore, aktivistëve mjedisorë, dhe OJQ-ve të tjera që veprojnë në Pejë dhe më gjerë, për të bashkuar forcat në kërkimin e një zgjidhjeje dhe për të garantuar që vendime të tilla të marrin në konsideratë nevojat e mjedisit dhe të komunitetit.
Komuna Pejë
Gazmend Muhaxheri
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.’-përfundon reagimi./