Ky është dokumenti fals që po iu dërgohet qytetarëve kinse në emër të policisë

Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, me datë 17 korrik ka bërë publike njoftimin zyrtar si dhe reagimin ndaj qarkullimit dhe shpërndarjes nëpër e-maila të ndryshëm të disa informacioneve dhe dokumenteve false, që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe kinse janë lëshuar nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës, dhe njëherit lidhur me këtë kishte sqaruar se;

Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës.

Me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e Kosovës i bën publike këtë dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit po ashtu të falsifikuar, të cilat i gjeni të bashkangjitura, me qëllim që të mos krijoj shqetësime të panevojshme te qytetarët

Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Policia e Kosovës, njofton edhe njëherë qytetarët dhe i fton që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla, dhe kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.