Kurti, Vuçiq dhe liderët e Ballkanit Perëndimor javën tjetër në Shkup, kjo është tema e diskutimit

Një takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes të Komisionit Evropian do të mbahet në Shkup të hënën e javës së ardhshme.

Temë diskutimi do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Komisioni Evropian.

Mikpritës i takimit do të jetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ndërsa pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar: kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Srgjan Amixhiq, kanë kumtuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë takim do të marrin pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koppmann dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien.

Në takimin për Planin për Rritje në Ballkanin perëndimor në Shkup marrin pjesë organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe Forumi i Investimeve i Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare

Liderët e Ballkanit Perëndimor për herë të fundit ishin mbledhur në dhjetor për samitin me Bashkimin Europian.

Në deklaratën e miratuar në fund të këtij samiti ishte bërë thirrje që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar shmangien e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës si përgjigje ndaj agresionit të saj kundër Ukrainës.