Nga 15 lojë pa humbje, në 7 ndeshje pa fitore! Ku është problemi te Kosova?

Edhe dy ditë bëhet fiks një vjet prejse Kosova e ka shënuar fitoren e fundit. Gjatë një viti “Dardanët” i kanë zhvilluar shtatë ndeshje pa e shënuar asnjë fitore, por duke i regjistruar 6 humbje e 1 barazim. Edhe atë kundër Moldavisë!

Kombëtarja e Kosovës po kalon nëpër një kohë shumë të vështirë. “Dardanët” mbrëmë e kanë kaluar ndeshjen e shtatë pa shënuar fitore, duke e lënë kështu në harresë krenarinë e një periudhe të mëparshme kur i kishin kaluar pesëmbëdhjetë ndeshje pa humbje, me të cilat e kishin bërë krenar një popull dhe konsideroheshin të mrekullueshëm në arenën ndërkombëtare.

Kosova po garon në Grupin 3 të Ligës C të Kombeve bashkë me Slloveninë, Greqinë dhe Moldavinë. Prej 9 pikëve sa i kishte në dispozicion deri më tani në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, skuadra verdh e kaltër e ka fituar vetëm një. Veç një barazim e kishte nxjerrë përballë Moldavisë dhe pse tanët vlerësoheshin favoritë për ta fituar atë takim. Pastaj, Kosova humbi në Prishtinë nga Greqia me rezultat 2:1 dhe së fundmi, mbrëmë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, pësoi edhe nga Sllovenia, 1:0.

Në mes dy humbjeve nga grekët dhe sllovenët Kosova e përjetoi humbjen më të hidhur në historinë e saj duke u mposhtur në Shkup nga Maqedonia e Veriut (2:1), me të cilën humbje u prish ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian. Skuadra jonë kishte shans fantastik për të shkuar në Evropian pasi i duhej ta mposhte vetëm edhe Maqedoninë e Veriut dhe Gjeorgjinë, të cilat nuk vlerësohen diç më shumë në krahasim me potencialin e Kosovës.

Bernard Challandes, por edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), po mundohen t’i arsyetojnë me mungesën e disa futbollistëve të rëndësishëm, si: Vedat Muriqi, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Amir Rrahmani, Besar Halimi e Idriz Voca.

Disa nga këta lojtarë së fundmi ishin të lënduar, e disa ishin të papërgatitur apo mungesën e arsyetuan me moslejim udhëtimi nga klubet e tyre shkaku i pandemisë. Por, lojtarët si Muriqi, Rashica e Rrahmani hasën në kritikë të madhe në opinionin publik në Kosovë që dyshon në arsyetimet e tyre.

Kritika ka pasur edhe në drejtim të FFK-së, për të cilën, te një pjesë e opinionit publik, ekziston përshtypja se si federatë nuk ishte e zonja t’i bindë klubet e huaja t’i lirojnë futbollistët për këto ndeshje tepër të rëndësishme të Kosovës.

Tejet i kritikuar mbetet edhe Bernard Challandes, prej të cilit ka filluar të kërkohet dorëheqja. Trajneri zviceran po kritikohet se nuk ishte në gjendja të ndryshojë skemë dhe taktikë të lojës krahas mungesave të mëdha, duke aplikuar lojë të njëjtë sikur në kohën kur nuk kishte mungesa.

Por, kritikë më e madhe për Challandes mbetet kokëfortësia e tij karshi Bernard Berishës, të cilin nuk e ftoi për ndeshjet e fundit, e i cili besohet se do të mund ta ndihmonte shumë Kosovën duke i mbuluar sadopak mungesat tjera të mëdha. Challandes i është “hakmarrë” Berishës, i cili në ndeshjen ndaj Greqisë ishte inkuadruar pas plotë dy vjetësh sa ishte lënë jashtë fushës. Ai kishte shënuar gol fantastik dhe i kishte dhënë energji ekipit në fushë që deri te inkuadrimi i tij po humbiste 2:0. Berisha e kishte festuar golin duke ia bërë me dije trajnerit se e ka vendin në fushë e jo në bankinë, me ç’rast pësoi dënimi me mosftesë për tri ndeshjet e fundit.

Mirëpo, ky vendim i Challandesit do të ishte krejt i pranueshëm sikurse masa ndëshkuese të kishte aplikuar edhe në të kaluarën te futbollistët tjerë “problematikë”, që jo rrallë herë kanë ditur të shkaktojnë probleme, por që janë mbajtur si raste të izoluara nga opinioni.

Sidoqoftë, nuk pritet një ndarje e lehtë në mes Challandesit dhe FFK-së sepse palët vetëm para pak javësh e kanë vazhduar kontratën edhe për dy vite të tjera. Nuk dihet se çka përmban kontrata në mes tyre, por në qarqe të ndryshme të futbollit qarkullojnë fjalë të ndryshme rreth kësaj kontrate.

Sidoqoftë, në kohën kur Kosova po i kalonte 15 ndeshje pa humbje, palët e vlerësonin ekipin si një “Brazil të Ballkanit”. Ndërsa, tani kur janë rreshtuar humbjet, të njëjtit thonë se ky është “kaçiku” i skuadrës.

Mirëpo, në bazë të asaj që është parë nga ndeshjet e zhvilluara, përkundër mungesave të shumta, Kosova ka treguar se ka mundur të nxjerr më shumë. Maqedonia Veriore fitoi, por loja e saj befasoi për të keq. Pastaj, në humbjen nga Sllovenia prej 1:0, përkundër mungesave Kosova nuk ishte inferiore në fushë, siç nuk ishte as kundër Greqisë. Kundër Moldavisë mungesat ishin të vogla, por Kosova nuk e menaxhoi rastin, duke e marrë vetëm një pikë si pasojë e një loje të dobët.

Në serinë prej shtatë ndeshjesh pa fitore (6 humbje e 1 barazim) bëjnë pjesë edhe humbjet nga Anglia, Çekia dhe miqësorja me Suedinë. Edhe dy ditë bëhen fiks një vjet prej fitores së fundit të Kosovës kundër Malit të Zi. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon në Greqi të mërkurën.