Ballkani sot zhvillon ndeshjen me favoritin kroat, synon rezultat pozitiv

Ballkani vazhdon sot (e enjte) rrugëtimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, për t’u përballur në raundin e dytë me Dinamo Zagrebin.

Ndeshja që fillon në ora 18:45 do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kampioni i Kosovës është ende pa pikë, pasi ndeshjen e parë e humbi ndaj Vitoria Plzenit me rezultat minimal 1-0.

Në anën tjetër, Dinamo triumfoi lehtësisht ndaj Astanas, duke e mposhtur 5-1.

Por, skuadra kroate për këtë takim ka shumë mungesa, andaj edhe Ballkani ka shanse të mira që sonte të marrë së paku një pikë.

Do të jetë një ndeshje e vështirë në letër, mirëpo trajneri Ilir Daja ka thënë se ata janë përgatitur maksimalisht për këtë duel dhe do të synojnë rezultatin pozitiv.