Kurti: Paratë e partive politike që nuk iu dihet burimi e shuma janë elemente të korrupsionit

Projektligji për Financimin e Partive Politike në Kosovë ishte temë diskutimi ndërmjet subjekteve politike dhe shoqërisë civile.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.  Shefi i ekzekutivit, tha se ky projektligj është rëndësisë së veçantë, teksa kërkoi konsensus partiak.

Ai tha se i njëjti duhet të pranohet edhe nga partitë tjera, duke shtuar se paratë e partive politike të cilave nuk ju dihet as burimi as shuma, janë elemente të korrupsionit.

“Për ne, Ligji për financimin e partive politike duhet të përcaktoje qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe të ofrojë transparencë maksimale. Zgjedhjet, baza a e demokracisë varet nga një elektoral i mirë informuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve. Të njëjtat nuk mund të bëhen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, përderisa populli e paguan faturën”.

“Po flas për fushatën kur partitë politike hedhin miliona në reklama dhe askush nuk e din se kush e si po financohet. Duhet ta kuptojmë se paratë në fushata dhe parti politike, ndërmjet fushatave, të cilave nuk u dihet burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektoral, dhe kësisoj edhe në demokraci. Kur një korporatë jep miliona për një parti, nuk jep se ka simpati për të, por sepse dëshiron që nesër ai politikan të jetë në pushtet të fitojë shumëfishin e këtij i këtij investimi përmes tenderëve”.

“Pra korporatat për një parti politike janë investim që pret edhe kthim edhe fitim. Ne shpresojmë që në këto parime të kemi konsensus partiak sepse është në të mirë të përgjithshme, dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve e më pastaj edhe qeverisja të përcaktohen nga korporatat”, tha Kurti, teksa shtoi se ky diskutim të arrijë një pajtueshmëri ndërmjet partive politike.