Kurti: Nga data 1 janar 2024, qytetarët do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen

Kryeministri Albin Kurti ka numëruar angazhimin e Qeverisë së Kosovës në politikën e jashtme, duke thënë se ajo është reflektim i qeverisjes së brendshme.

Kurti ka shkruar në Facebook se ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën.

Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.

Sipas Kurtit, në të njëjtën kohë janë angazhuar edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta.

“Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Kurtit:

Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme.

Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar.

Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.

Në të njëjtën kohë u angazhuam edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta. Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE.

Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.

E politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.