KQZ:Asnjë parti politike nuk është certifikuar ende për zgjedhjet e 6 tetorit

Asnjë subjekt politik në Kosovë nuk është certifikuar ende për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Përkundër se kishin kërkuar tash e disa vite zgjedhje të jashtëzakonshme, shumë parti politike në vend, deri më tani, kanë nguruar për t’u certifikuar për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Afati  për certifikimin e tyre është deri më 6 shtator të këtij viti, një muaj para ditës kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i ka thënë Sinjalit se deri sot asnjë parti subjekt politik nuk ka aplikuar për t’u certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Deri më tani, mund t’iu konfirmoj se nuk kemi ndonjë aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje nga ana e subjekteve politike”, ka deklaruar Elezi për Sinjalin.

Ai  ka shtuar se periudha e aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve që do të marrin pjesë do të kuptohet vetëm pas 6 shtatorit, atëherë kur zyrtarisht përfundon certifikimi i subjekteve politike.

“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve që duan të marrin pjese në zgjedhje nuk është përmbyllur akoma. Prandaj, ne nuk e dimë akoma se sa subjekte politike do te garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka deklaruar Elezi për Sinjalin.

Përkundër që në KQZ nuk janë certifikuar ende subjektet politike që duan të garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, disa parti politike kanë arritur koalicion mes vete.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka arritur marrëveshjen e parë për koalicion me PSD-në që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti. Koalicioni i dytë është ai mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate ndërsa koalicioni i tretë është ai mes Nismës  ,Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë, që udhëhiqet nga Ferid Agani.

Gjatë ditës së djeshme katër parti serbe kanë krijuar koalicion të përbashkët. Nënshkruesit e kësaj marrëveshje janë Nenad Rashiq (PDS), Rada Trajkovic (EPS), Dragisha Miriq (NPK), Slavisha Petkoviq dhe Branislav Markoviq, kishte njoftuar Partia Demokratike Progresive (PDS).

Afër koalicionit parazgjedhor po ashtu janë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, por deri më tash nuk ka një marrëveshje mes dy partive.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, kanë ardhur pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës me arsyetimin për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Ky vendim çoi në shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht për ti hapur rrugën zgjedhjeve të reja që do të mbahen më 6 tetor