Komuna e Klinës me 25 janar takim me të riatdhesuarit, mundësi e mirë për punësim

Komuna e Klinës, në bashkëpunim me përfaqësues nga Fondacioni për Zhvillim të Qëndrueshëm Ekonomik – PREDA Plus Kosovë dhe WEntrepreneur, ka planifikuar të mbajë takim me qytetarë, përkatësisht me gratë dhe të rinjtë e kthyer (riatdhesuar), por edhe me personat nga grupet në rrezik, për informim në lidhje me projektin ”INTEGRA- nxitja e riintegrimit të qëndrueshëm lokal të grave dhe të rinjve të kthyer dhe njerëzve të cenueshëm lokal në Kosovë”, në mënyrë që aplikantëve potencial t’iu ofrojë informacione lidhur me projektin.
Andaj ftoheni të merrni pjesë në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, më datën 25.01.2023, ora 10:00.
Gjatë këtij takimi, aplikantëve potencial do t’iu ofrohen pyetësorët individualë të përgatitur enkas për këtë thirrje, përmes së cilëve do të shprehin interesin për sektorin e caktuar për biznes, për të gjeneruar të ardhura për të riatdhesuarit, gratë dhe të rinjtë si dhe personat nga grupet në rrezik.
Ky projekt, synon integrimin social dhe ekonomik në vendin e origjinës të të kthyerve, si dhe grupeve në rrezik, që do të kenë një perspektivë për të qëndruar, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve, punësimit dhe vetëpunësimit, që do t’u mundësojë atyre të gjenerojnë të ardhura për familjet e tyre dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Kosovë.