Prokuroria dhe IPK-ja e privojnë policin nga e drejta ligjore, intervenon Avokati i Popullit

A.H., zyrtar i Policisë së Kosovës, e ka kaluar verën duke u ankuar në tri institucione në kërkim të një dëshmie, të cilën e kishte dhënë para hetuesve të Inspektoratit Policor të Kosovës, në bazë të pretendimeve për veprën penale “Mashtrim” lidhur me benificionin financiar të invalidit të luftës së UÇK-së. Hetuesit e IPK-së, duke qenë të varur nga udhëzimet e Prokurorisë, që jo rrallëherë mund të jenë edhe të kundërligjshme, e kanë shkelur të drejtën e zyrtarit policor, duke mos ia dhënë kopjen e dëshmisë së tij. Në këtë situatë është përfshirë edhe Avokati i Popullit dhe në bazë të një letre të cilën e ka siguruar Gazeta Sinjali, ka vendosur në favor të zyrtarit policor, duke i rekomanduar Ministrisë së Punëve të Brendshme që kërkesa e tij të aprovohet sa më parë.

Në kërkim të dëshmisë, nga Inspektorati Policor deri te Ministria e Punëve të Brendshme

A.H., (emër i njohur për redaksinë), ishte në mesin e shumë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që me autorizim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ishin intervistuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, përkitazi me pretendimet për kryerjen e vepres penale “Mashtrim”, e cila ndërlidhet me benificionin financiar të invalidit të luftës së UÇK-së. Ai u intervistua në qershor të vitit të kaluar në cilësinë e të dyshuarit. Pas intervistimit, kishte kërkuar kopjen e deklaratës së tij, mirëpo IPK refuzoi t’ia dorëzonte me arsyetimin se prokurorja e rastit kishte kërkuar që “në këtë fazë të mos i dorëzohet kopja e deklaratës”. Për më tepër A.H, pretendonte se në faqen e fundit të deklaratës së tij shkruante me laps se “kjo kopje mund të merret vetëm në Prokurori”.

Zyrtari i Policisë, A.H., që në bazë të veprimeve të tij duket se kishte njohuri rreth ligjeve që nuk ia mohojnë marrjen e kopjes së deklaratës, disa ditë më vonë bëri kërkesë në IPK duke i njoftuar për shkeljen ligjore nga hetuesi i IPK-së dhe duke kërkuar sërish kopjen e deklaratës.

Brenda muajit korrik, IPK i ktheu përgjigje atij, duke kundërshtuar sërish dhënien e kopjes së deklaratës.

Në përgjigjen e tyre thuhej se hetuesi i IPK-së kishte vepruar sipas udhëzimeve të prokurorit kompetent, prandaj kishte konstatuar se nuk ekzistojnë elemente të shkeljes disiplinore me pretendimet e ngrituara nga zyrtari i Policisë përmes ankesës.

A.H., nuk u ndal në kërkim të së drejtës së tij dhe gjatë muajit gusht parashtroi kërkesë edhe në Departamentin Ligjor të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku kërkoi opinion ligjor lidhur me çështjen.

Departamenti Ligjor i ministrisë, pasi analizoi kërkesën e zyrtarit të PK-së, doli me përfundim në favor të tij. Në dy nga tri përfundimet e nxjerra u theksua se “Pas nënshkrimit të procesverbalit policor nga ana e palës, i njëjti duhet të jetë në dispozicion për palën nëse ai/ajo e kërkon” dhe se “Hetuesit e IPK-së ushtronjë autorizimet e tyre të pavaruar, duke mos u ndikuar nga askush, në përputhje me kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”.

Rasti shkoi deri te institucioni i Avokatit të Popullit. Në shtator të vitit 2019, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit zhvilloi një takim me udhëheqësin e departamentit të Inspektimit dhe me udhëheqësin e Departamentit të Hetimeve të IPK-së, me të cilën diskutoi për çështjen e A.H.

Në letrën e Avokatit të Popullit të cilën e ka siguruar Gazeta Sinjali, thuhet se zyrtarët e IPK-së premtuan se do ta njoftojnë për rastin dhe meqenëse u sqaruan se nuk ka pengesa ligjore, ishin zotuar se ankuesit dhe Avokatit të Popullit do të ja dërgojnë nga një kopje të deklaratës.

Por, A.H., nuk arriti ta marrë kopjen e deklaratës as pas zotimit të IPK-së.

Çështja e tij u diskutua edhe gjatë muajit tetor brenda strukturave udhëheqëse të IPK-së. Ishte marrë vendim që zyrtarit policor të mos i dërgohej kopja e deklaratës nga IPK-ja, duke shtuar se atë mund ta kërkonte vetëm në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Mosdërgimin e kopjes së deklaratës së tij, për Avokatin e Popullit e kishte konfirmuar edhe kryeshefja ekzekutive e IPK-së.

“Duke shtuar se qëndrimin për mosdërgimin e kopjes nuk e ka marrë IPK-ja , por IPK-ja ka vepruar sipas sygjerimeve të prokurorës së çështjes e cila është konsultuar pas kërkesës së A.H., për marrje të kopjes së deklaratës, e njejta ka sygjeruar hetuesin, se nëse nuk është praktikuar që edhe në rastet e tjera të dyshuarve t’iu dorëzohet kopja e deklaratës edhe në rastin konkret të mos i dorëzohet kopja e deklaratës por vetëm të konstatohet se personi i dyshuar nuk dëshiron të nënshkruajë deklaratën. IPK cështjen ne fjalë është duke e hetuar në bazë të autorizimit të Prokurorisë dhe çdo veprim hetimor e bën në bazë të këtij autorizimi dhe syjerimeve të Prokurorisë”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit dërguar ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Agim Veliut.

Mbi këtë bazë, Avokati i Popullit nxorri përfundimet se zyrtari policor nuk ka kërkuar asgjë më shumë se zbatimin e të drejtave të tij ligjore, respektivisht ligjit penal të aplikueshëm. “Mohimi i shfrytëzimit të kësaj të drejte bazuar në ligje të përgjithshme mund të konsiderohet shkelje ligjore e të drejtave të njeriut”, vlerëson Avokati i Popullit.

Ky institucion i ka rekomanduar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të nxjerrin udhëzim me të cilin kërkojnë nga IPK-ja që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre të veprojnë në përuthje me kushtetutën e Kosovës, Kodin Penal dhe kodin e procedurës penale, si dhe me ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, në mënyrë që situata të tilla të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Po ashtu, Avokati i Popullit kërkoi që pa vonesa të mëtutjeshme A.H. t’i dërgohet kopja e deklaratës së dhënë në qershor të vitit 2019.

Mbetet të shihet nëse ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu do t’i marrë parasysh rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe ta udhëzojë IPK-në që t’ia dorëzojë kopjen e deklaratës zyrtarit të Policisë së Kosovës.

Gazeta Sinjali do të tentojë të marrë përgjigje edhe nga prokurorja e rastit për udhëzimet e kundërligjshme që ia dha hetuesve të IPK-së. /