KFOR nis hetimet, pas të shtënave të mbrëmshme në Zubin Potok

KFOR-i ka nisur hetimet, pas të shtënave me armë qqë u bënë mbrëmë në Zubin Potok.

Kështu ka bërë të ditur vet misioni i KFOR-it në Kosovë.

Në një deklaratë për opinionin publik, KFOR ka bërë thirrje për shmangie të retorikave që mund të shkaktojnë tensione dhe të përshkallëzojnë situatën.

Kjo është deklarata e plotë e misionit të NATO-s në Kosovë:

KFOR-i po heton një incident indirekt zjarri më 25 dhjetor në afërsi të patrullës së KFOR-it të NATO-s. Në incident janë përfshirë persona të panjohur të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punohet për zbardhjen e të gjitha fakteve.

Duke qenë se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve, është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën.

Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i nxisim të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut.

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës. Ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces.

KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet e tij gjatë muajve të fundit. Ne mbetemi vigjilentë dhe plotësisht të aftë për të përmbushur mandatin tonë sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut.