Këto janë kërkesat e komunave për Qeverinë

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Agim Aliu në takimin e sotëm,  ka paraqitur para kryeministrit Albin Kurti kërkesat dhe qëndrimet e komunave të Kosovës.

Këto janë kërkesat dhe qëndrimet:

1.Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë te komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna;

2.Urgjentisht të barten të hyrat vetanake në komuna, për momentin të pezulluara;

3.Te themelohet granti i katërt, që do të krijojë barazi financiare për komunat;

4.Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore në bazë të ligjit të ri për zyrtarë publikë që rregullon procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësi;

5.Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, që janë përcaktuar dhe shpallur nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror ;

6.Të krijohen mekanizma ligjorë për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale;

7.Të mos lejohet që zonat ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga komunat.

Në fund, Aliu tha se shpreson që në takimin e radhës që këto çështje të jenë të adresuara.