“Nuk e kam plagos unë, por polici-policin…”, flet Nuredin Lushtaku, e konfirmon se rasti ka ndodhur

Në orët e para të së dielës mediat raportuan se një inicident ka ndodhur në dy zyrtarëve të policisë dhe disa personave e në mesin e të dyshuarve thuhet se është Nuredin Lushtaku, ish-nënkryetar i Komunës së Skenderajt, bashkë me disa familjarë të tij.

Nuredin Lushtaku për KALLXO.com ka mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.Lushtaku mohoi që ata kanë plagosur policët. Sipas tij, armën e ka përdorur njëri polic.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku.

“Unë për vete as nuk kam pas armë e as nuk kam plagos kë, as djemtë e mij as vëllëzerit”, përsëriti Lushtaku.

Policia e Kosovës përmes një deklarate për media ka deklaruar se dy zyrtarë policor janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderajt, të shtunën pas mesnatës.

Sipas policisë, njëri polic është i plagosur me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.

Forcat e rendit njoftojnë se të dy zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, dhe se të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.Ndërkaq, lidhur me rastin dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.

“Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia. Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës./Kallxo