Plagosja në Skenderaj – Cila është e vërteta?

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunën  e Skenderajt. Rreth orës 23:55 janë plagosur dy policë në një pikë kontrolli, si rezultat i shqiptimit të një tikete të trafikut

Konflikti dyshohet se ka ndodhur mes dy zyrtarëve policor dhe ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy djemëve dhe vëllezërve të tij.

Incidenti raportohet të ketë filluar mes dy djemve të tij nga Policia e Kosovës të cilëve i ishte shqiptuar një tiketë trafiku. Sherri kishte filluar me shfaqjen e ish-deputetit dhe dyshohet se të përfshirë në konflikt, ishin edhe të djemtë e tij.

Policia e Kosovës bënë të ditur se njëri nga policët është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta. “Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deri tani dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim.

Policia e Kosovës tashmë është vënë në lëvizje që të arrestohen të dyshuarit, të cilët kishin qëlluar me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, si dhe njëherësh, i kishin rrahur ata.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Nuredin Lushtaku.

“Unë jam në polici dhe nuk kisha dhënë deklarata njëherë derisa Policia t’i përfundon detyrat e saj”, ka thënë ai.

“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, u shpreh ai për media.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), konfirmon se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për incidentin e mbrëmshëm në Skënderaj, ku mbetën të plagosur dy zyrtarë policor. Në këtë konflikt dyshohet se është përfshi ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me disa familjarë të tij.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Kujtojmë se Lushtaku ishte nënkryetar i komunës së Skenderajt, deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e pestë të tij, dhe komandant i gardës ceremoniale të TMK-së.