Kenan Haxhihamza, shpallet “Ylli i Javës”

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 28-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Dukagjini, Kenan Haxhihamza.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Synaj Keqi, Bujar Guta dhe Isuf Llumnica.

Ky komision u dakordua që epiteti i yllit të javës t’i takojë portierit të FC Dukagjini, Kenan Haxhihamza pasi në ndeshjen kundër Prishtinës pati 6 pritje të shkëlqyeshme, duke qenë kësisoj më meritori për fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, me shifrat 1:2.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e KF Dukagjini, Kenan Haxhihamza e ndau Albi Humolli, menaxher për zhvillim biznesi në Albi Group.

Pasi mori këtë çmim portieri i FC Dukagjinit u shpreh i lumtur që u vlerësua kontributi i tij në këtë ndeshje tejet të rëndësishme, derisa beson se ecuria pozitive e skuadrës së tij të vazhdojë.

“Të zgjedhësh më i miri i javës dhe sidomos në një përballje në transfertë kundër një ekipi si Prishtina është kënaqësi e veçantë. Dukagjini po kalon një seri pozitive të rezultateve dhe kjo na bënë të besojmë që ecuria jonë do të vazhdojë edhe në xhirot në vijim, e ku secila ndeshje do të jetë finale në vete”.

“Këtë çmim ja dedikoj bashkëlojtarëve, pa të cilët edhe performanca ime do të ishte më e vështirë”, ka theksuar Haxhihamza për faqen zyrtare të FFK-së.