Ish-zyrtarja e inteligjencës amerikane: Putini mund të shkaktojë telashe pas zgjedhjeve në Kosovë

Rebekah Koffler, ish-zyrtare e Agjencisë së Inteligjencës dhe Mbrojtjes (DIA) së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), paralajmëroi se inteligjenca ruse ka të ngjarë të kryejë operacione të fshehta që synojnë minimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor të këtij viti, përfshirë ndërmarrjen e disa operacioneve destabilizuese në Moldavi dhe Kosovë.

Koffler, analiste amerikane e intelegjencës ushtarake, në një prononcim për kanalin televiziv amerikan Fox News të premten, duke folur për planet e presidentit rus, Vladimir Putin, posaçërisht pas zgjedhjeve presidenciale që pritet t’ia sigurojnë Putinit edhe një mandat tjetër gjashtëvjeçar në pushtet, paralajmëroi se Rusia mund të shkaktojë telashe edhe në Kosovë.

“Inteligjenca e Rusisë ndoshta do të synojë gjithashtu Moldavinë nëpërmjet operacioneve destabilizuese dhe mund të shkaktojë telashe në Kosovë pas zgjedhjeve të Rusisë. Ajo ka të ngjarë të kryejë operacione të fshehta ndikimi që synojnë zgjedhjet e SHBA-së për të mbjellë kaos dhe për të vendosur blloqe të ndryshme votuesish amerikanë kundër njëri-tjetrit”, tha ajo.

E diela shënon ditën e tretë dhe të fundit të votimit, ndërsa është pothuajse e sigurt se Putini do të fitojë një mandat të pestë në dritën pushtimit rus të Ukrainës.

Sundimi i Putinit do të zgjasë deri në vitin 2030, ndërsa pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2020, ai do të mund të kandidojë përsëri dhe potencialisht të qëndrojë në pushtet deri në vitin e largët 2036.

Shumë vëzhgues deklarojnë se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ndryshe, në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëroi ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa u përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin gjatë vitit 2023.