Standardet e dyfishta nga Kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor

Inspektoriati Shëndetësor, përmes Vendimit të datës 27.10.2023, e pati ndaluar punën e KosovaMed Healthcare SHPK në QKMF – Drenas. Ky Vendim i Inspektoriatit Shëndetësor, më vonë do të anulohej, për shkak të paligjshmërisë së tij, nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave.

Lidhur me Vendimin e Inspektoriatit Shëndetësor, Kryeinspektorja e Inspektoriatit Shëndetësor, znj. Nora Kursani Demjaha, dërgon një email tek Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë të Komunës së Drenasit, e urdhëron këtë të fundit, që ta zbatojë Vendimin e Inspektoriatit Shëndetësor, për ndalimin e marrjes së shërbimeve nga Operatori Ekonomik KosovaMed Healthcare SHPK në QKMF – Drenas, pasiqë konsideron se Kontrata e lidhur ndërmjet tyre është e paligjshme, sepse KosovaMed Healthcare SHPK do të duhej të kishte Licensë nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që të ishte i aftë të lidhte Kontratë me QKMF – Drenas.

Kryeinspektorja ishte aq e bindur se kishte të drejtë për interpretimin e ligjit dhe të situatës së krijuar, sa edhe e kërcënonte Drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë në Drenas, se nëse nuk e respekton Urdhërin e dërguar me email nga Kryeinspektorja, atëherë ndaj Drejtoreshës do të iniconte procedura penale dhe do ta ndëshkonte sipas Ligjit në fuqi.

Më e rënda, është se ky email nga Kryeinspektorja është dërguar gjatë zhvillimit të procedurës sipas Ankesës, ku ishte e qartë që Ankesa e pezullonte Vendimin e Inspektoriatit Shëndetësor, ndërkaq Kryeinspektorja duke shfrytëzuar autoritetin e saj, bën trysni ndaj zyrtarëve Komunal, që të mos respektojnë Ligjin (pezullimin e Vendimit për shkak të Ankesës), por ta zbatojnë urdhërin e saj dhe ta zbatojnë Vendimin e pezulluar.

Mirëpo, më datë 24.01.2024, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave merr Vendim për Anulim të Vendimit të Inspektoriatit Shëndetësor dhe tani, kur është kërkuar që Kryeinspektorja të merr përgjegjësi për urdhërat e saja dhe kërcënimet e saja drejtuar Komunës së Drenasit, Kryeinspektorja thotë se nuk është kompetencë e sajë që të interpretojë Kontratën Publike Kornizë të lidhur ndërmjet Komunës së Drenasit dhe KosovaMed Healthcare SHPK, pavarësisht që më herët ishte ajo që pati dërguar email urdhërues për ta ndaluar punën e KosovaMed Healthcare SHPK sepse konsideronte që Kontrata është e paligjshme.

Pra, në njërën anë, Kryeinspektorja përmes email urdhërues, pat urdhëruar ndalimin e punës dhe pati kërcënuar që nëse nuk zbatohet Vendimi i Inspektoriatit Shëndetësor do të pasojnë dënimet, ndërkaq në anën tjetër, kur Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave vendosi që Inspektoriati Shëndetësor ka lëshuar Vendim të jashtëligjshëm, Kryeinspektorja thotë që nuk është kompetente për të ndaluar punën apo për ta interpretuar Kontratën Publike Kornizë, anipse ajo vetë e pat interpretuar kur pat urdhëruar për ndalimin e punës.