​Përballje interesante në çerekfinalet e Ligës së Evropës

Kompeticioni i dytë më i rëndësishëm në Evropë në nivel të klubeve Liga e Evropës vazhdon sot me ndeshjet e para të fazës çerekfinale të saj.

Sfidat e para të kësaj faze do të zhvillohen sonte, ku nuk mungojnë përballjet mjaftë interesante, raporton KosovaPress.

Barcelona, që shihet si skuadra favorite për ta fituar këtë kompeticion do të luajë ndeshjen e parë si mysafir i skuadrës gjermane Eintracht Frankfurt me fillim nga ora 21:00 dhe kërkon rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese në “Camp Nou” pas një jave.

Skuadra gjermane RB Leipzig do të ketë punë të vështirë në shtëpi ndaj skuadrës së papërshtatshme italiane Atalantës, sfidë që starton nga ora 18:45, kurse Braga e pret skuadrën skocese Rangers me fillim nga ora 21:00.

Duel shumë interesant pritet të zhvillohet në “Olympic Stadium”, aty ku West Ham United ballafaqohet me gjigantin francez Lyon. Edhe ky duel luhet duke filluar nga ora 21:00.