Të gjithë kapitenët e Superligës janë për vazhdimin e kampionatit

Futbolli kosovar po vazhdon të jetë i pezulluar si shkak i pandemisë së koronavirusit.

Tashmë edhe çështja për rifilimin e futbollit, ka ngritur shumë polemika te disa skuadra kosovare.

Kurse gjatë ditës së sotme Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës ka dalë me një komunikatë ku shkruan se së bashku me kapitenët e skuadrave të Superligës janë dakorduar për vazhdim të kampionatit.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të ShMDFK-së:

Në vijim të takimit të fundit të mbajtur me anëtarët e bordit dhe kapitenët e Superligës së futbollit, Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës njofton opinionin e gjerë se kemi pajtueshmëri të plotë për vazhdimin e pjesës së mbetur të kampionatit. Pavarësisht pozitës tabelare të skuadrave të tyre dhe nevojës për ndryshim të kalendarit sezonal, futbollistët janë të gatshëm që ndeshjet e mbetura të zhvillohen pasi që gjendja e tyre ekonomike do të rëndohej edhe më shumë nëse kampionati do të anulohej. Tanimë e dijmë që ka klube të cilat nuk i kanë paguar futbollistët e tyre me muaj dhe nëse nuk do të paguheshin as për muajt në vazhdim, atëherë do të rrezikohej dukshëm mirëqenia e tyre dhe e familjeve të tyre.

Normalisht se ShMDFK dhe kapitenët bëjnë thirrje që një vendim i tillë eventual të vie si pasojë e shterrimit të konsultimeve në mes institucioneve përgjegjëse qeveritare (MSh, MKRS) dhe atyre sportive (ShMDFK, KOK, FFK), dhe pashmangshmërisht të konsultohet IKSHPK – për rekomandime shtesë. Futbollistët janë të vetëdijshëm për ndikimin serioz të pandemisë në aspekt shëndetësor; por, pa harruar kurrsesi edhe atë ekonomik, gjë të cilën e kanë ndjerë direkt në mirëqenien e tyre.

Njëlloj si në komunikatën tonë të bërë publike më 6 prill 2020, ritheksojmë nevojën e rëndësisë së lartë për të thelluar bashkëpunim me institucionet e lartëpërmendura me qëllim që zëri i futbollistëve të respektohet. Shoqata përsërit poashtu nevojën e krijmit të një komisioni (grupi punues) të mandatuar për analizimin e situatës aktuale në futboll, dhe ofrimit të zgjidhjes më optimale për të siguar vazhdimin e kampionati. Poashtu, vlerësojmë se referencë e mirë për aspektin e mbrojtjes së shëndetit të secilit prej nesh janë praktikat më të mira nga Evropa dhe më gjerë.

Me respekt!