Ish-ministri Zharku: 53 milionë € s’është dashur t’i paguhen kompanisë, Lekaj nuk ka pasur të drejtë

Ish-ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, tha se 53 milionë euro nuk është dashur që t’i ndahen “Bechtel&Enkas”, raporton Ekonomia Online.  Zharku të hënën ka dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionshi ku akuzohen ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë të kësaj ministrie, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.

Ata dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëmin në vlerë prej 53 milion euro.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani e pyeti Zharkun se a ka pasur të drejtë ish-ministri Lekaj, të nënshkruaj marrëveshjen për ndarjen e 53 milionë eurove, ai tha se, me këtë rast ministri nuk ka pasur të drejtë.

“Shuma prej 53 milionë eurove nuk është dashur që të ndahet. Jo nuk ka pasur të drejtë, sepse menaxheri i kontratës ka për detyrë për me vendos për kontrata. Nuk ka asnjë faturë asnjë shkresë që ne nuk e kemi paguar. Nuk mundet dikush me u thirr që nuk e kemi paguar këtë borxh. Nuk besoj që çështja ka mundur të shkojë në Arbitrazh”, tha ai.

I pyetur se a ka qenë e nevojshme që të bëhet pagesa prej 53 milion eurove, ai tha se kjo është çështje ligjore, prandaj nuk kanë pasur të drejtë të procedohet pa aprovimin e kompanisë.

Ai nënshkrimin e kësaj kontrate e ka quajtur si keqmenagjim, nga ana e ish-ministrit Lekaj, pasi sipas Zharkut, kjo ka qenë në kundërshtim me kontratën dhe rekomandimet e dhënë nga menaxheri i kontratës.

“Jo, kjo ka qenë si keqmenaxhim duke i’u referuar nënshkrimit në shumë që ka qenë në kundërshtim me kontratën dhe të rekomandimit të dhënë nga kompania mbikëqyrës Hill Intrenatcional”, tha ai.

Ai tha se askush nuk ka të drejtë asnjë ministër, as Qeveria të përfshihet në një marrëveshje pa menaxherin e kontratës për lidhjen e marrëveshjes, raporton EO.

“Nuk ka të drejtë ligjore me anashkaluar menaxherin e kontratës”, tha ai.

Për shkak të mosrespektimit të kontratës, kompania turko-amerikane “Bechtel&Enka” kishte detyruar Qeverinë e Kosovës të paguaj 53.1 milionë euro.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit. Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”, me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.

Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017, detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSh-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

PSRK pretendon se me qëllim të realizimit të planit të tyre, Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së dhe Njësinë për Implementimin e Projektit, organe këto të cilat sipas Statutit kanë pasur autorizime të zhvillojnë biseda dhe të marrin vendime për të gjitha çështjet që ndërlidhen me realizimin e këtij projekti, e për më tepër edhe për çështjen e zhvillimit të bisedimeve dhe përcaktimin e kostos për zgjatet e afatit të përfundimit.