Agim Veliu kritikon udhëheqjen e Abdixhikut që mori përsipër presionin për Presidentin

Ish-nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, thotë se Kosova duhet ta zgjedhë një president me konsensus që ka mbështetjen e 2/3. Veliu në një bisedë për Gazetën Express tha se është gabim i udhëheqjes së LDK-së që tërë presionin për zgjedhjen e presidentit ta marrë përsipër. Ish-kryetari i Podujevës, thotë se nëse të tri institucionet kryesore udhëhiqen nga një parti atëherë Kosova kthehet në monizëm. Ai kujton kohën kur deputetë të LDK-së s’e kanë votuar kryeministrin e tyre, Isa Mustafën dhe kanë dalë kundër vendimeve të partisë

LDK-ja po e konsideron votimin, ose qëndrimin në sallë gjatë seancës, ku Vjosa Osmani do të tentojë të zgjidhet Presidente. Konflikti i zjarrtë i Osmanit me partinë që e la – pasi e shkarkuan nga pozitat që mbante -, duket se po e shuan nevoja e saj për t’u bërë Presidente dhe ardhja në krye të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Me të, me aq sa është thënë publikisht, Osmani nuk kishte asnjëherë konflikt.

Kundërshtari i Osmanit brenda LDK-së, Agim Veliu thotë se nuk ka vendosur nëse do ta votojë Vjosa Osmanin për shefe të shtetit. Këmbëngul se kur LDK-ja ta diksutojë këtë çështje, duhet të shohë se ku është përfitimi për partinë vota pro Osmanit.

Nuk kam vendosur ende se a do ta votojë Vjosa Osmanin, sepse nuk është diskutuar në strukturat e LDK-së, unë nuk kam informacion nëse kryesia do të mblidhet, pastaj ajo çështje duhet të vijë edhe para grupit të deputetëve dhe pastaj do ta jap qëndrimin tim aty ku diskutohet. Sepse duhet të shohim cili është përfitimi i LDK-së në këtë rast, cili është vullneti i votuesve të LDK-së, i 110 mijë votuesve të LDK-së, të cilët i kanë qëndruar besnikë LDK-së e kanë çu votën në LDK, jo në listën ku kanë qenë kandidatë e tjerë e tjerë, ata me pas dashtë me votu diçka të tillë kishin votu, e kanë pasur adresën, ata e kanë lënë votën këtu në LDK. LDK-ja në këto zgjedhje dihet se për çfarë ka garuar, si ka garuar, çka ka mbështetur, duhet pasur kujdes edhe ndaj këtyre votuesve”, tha Veliu për Express të premten.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në konferencën për media pas takimit me Vjosa Osmanin u shpreh se synojnë të jenë unik dhe s’mund të ketë qëndrime individuale në LDK sepse në parti me shumicë votash merret vendimi nëse do ta votojnë ish-bashkëpartiaken e tyre për presidente të vendit.

Deputeti Veliu, kur pyetet nëse do të rreshtohet sipas qëndrimit të partisë, përmendi se në të kaluarën, deputetët nuk e kanë respektuar vendimin e shumicës në parti. Madje tha se as këta që tash janë në udhëheqje, nuk kanë pasur qëndrime të njëjta me partinë.

“Këtu nuk është problemi i rreshtimit apo mosrreshtimit por me gjetë zgjidhjen më të mirë për LDK-në, unë kështu e shoh, sepse rreshtime nuk ka pasur as ma përpara në LDK. LDK-ja ka pasur edhe përpara qëndrime dhe vendime që nuk janë respektuar, nuk po e diskutojmë tani në këtë rrafsh. Nuk kanë qenë kurrë deputetët e LDK-së të një mendimi, nuk kanë qenë unik asnjëherë. Ka pasur deputetë të LDK-së që nuk e kanë votuar kryeministrin e vet. Edhe ata që janë sot në krye të LDK-së nuk kanë vepruar në bazë të vendimeve të LDK-së, nuk duhet të shtrohet kështu, sepse nëse shtrohet kështu atëherë dalin shumë pyetje, ngriten shumë pyetje e dilema. A ka të drejtë dikush të kërkojë rreshtim që nuk ka qëndruar në rresht ta zëmë, nëse bisedojmë kështu”, tha Veliu.

Tutje, ish-ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se Kosovës i duhet një president konsensual që ka mbështetjen e 2/3 të votave në Kuvend.

“Unë mendoj se Kosovës i duhet presidenti, por unë mendoj që duhet Kosova ta ketë një president konsensual, që e ka mbështetjen e 2/3 të Kuvendit. Një president jopartiak, i departizuar, kështu që unë mendoj se duhet të bisedojë spektri politik në përgjithësi jo vetëm një subjekt politik sepse nuk është korrekte të vendoset presioni vetëm në LDK-në. Edhe, është gabim i madh i udhëheqjes së LDK-së që e ka pru veten në këtë situatë që i gjitë presioni të bie mbi LDK-në për zgjidhjen e presidentit sepse LDK-ja është parti e tretë tash, është parti opozitare që nuk e ka përgjegjësinë Sigurisht ajo do të duhej të ishte temë e bisedës në tryeza të subjekteve politike, pozitë e opozitë në mënyrë që të ketë një pajtueshmëri për një kandidat cilido që ta merr mbështetjen e 2/3 ai zgjidhet, unë po them që do të ishte mirë që ta kemi një president me konsensus.”, tha Veliu.

Ai tha poashtu se nëse shumica e subjekteve politike mendojnë që të gjitha institucionet duhet të jenë nga një parti atëherë Kosova kthehet në monizëm.

“Tani duhet të bisedohet çka i duhet Kosovës në këtë kohë, a i duhen institucione të një partie apo i duhet diçka tjetër, nëse shumica mendojnë se është në rregull që Kosova t’i ketë të gjitha institucionet një partiake po e kthejnë Kosovën në një sistem tjetër, në monizëm”, tha ai.  

Veliu tha poashtu se nuk është i sigurt për të ardhmen e LDK-së nëse ia bëjnë qefin votuesve të partive tjera.

“Nëse LDK-ja mendon me ia bë qefin disa votuesve që kanë ik nga LDK-ja, kanë shkuar në lista tjera kanë votuar subjekte tjera e ua kthen shpinën këtyre që i ka të vëertetë atëherë nuk e di çfarë të ardhme ka”, tha Veliu.

LDK-ja pritet të diskutojë brenda partisë nëse do ta përkrahin Vjosa Osmanin për presidente dhe më pastaj të takohen edhe një herë me pretendenten për shefe të shtetit për ta bërë të qartë vendimin e partisë, kështu ka paralajmëruar kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku pas takimit të parë që ka pasur pardje me Osmanin.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë, sekretarin organizativ të LDK-së, Imri Ahmetin për ta pyetur nëse kanë caktuar takim të organeve të partisë për këtë çështje por që i njëjti ka qenë i paqasshëm.