Inspektorati i Punës: Kompania ku vdiq 34-vjeçari kishte shkelur dy herë masat e sigurisë dhe i ishte ndaluar puna

Inspektorati i Punës ka reaguar pas vdekjes së një 34-vjeçari në Prizren, i cili u rrëzua nga skelet e një ndërtese në ndërtim.

Sipas Inspektoratit, kompania që po kryente punimet ishte gjobitur më parë dy herë për shkelje të rënda të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë, dhe punimet i ishin ndaluar.

Megjithatë, kompania nuk i ka respektuar këto vendime dhe ka vazhduar punimet, për çka është gjobitur edhe një herë.

“Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për familjen e punëtorit të ndjerë, duke ndarë dhimbjen me ta për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur. Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe shqyrtimit të rrethanave, është konstatuar se subjekti në fjalë kishte qenë më herët objekt i inspektimeve nga Inspektorati i Punës, në kuadër të aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit”, thuhet nga ana e tyre.

Inspektorati ka theksuar se ky rast tregon rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit dhe standardeve ligjore për siguri në punë.

“Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër. Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, thuhet në reagim.

Gjithashtu po ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për të sqaruar plotësisht ngjarjen.