Grabitje e armatosur në pompën EXFIS në Komoran, hajnat e maskuar ‘avullojnë’ 13 mijë euro

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur sot në mëngjes, në pompën e derivateve EXFIS në Komoran.

Sinjali mëson se hajnat e maskuar dhe të armatosur kanë arritur t’i plaçkitin rreth 13 mijë euro nga kjo pompë dhe më pas janë larguar në një drejtim të panjohur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se grabitja u krye nën kërcënimin e një kallashnikovi, armë kjo të cilën e mbante njëri nga të dyshuarit.

Policia tashmë është njoftuar për rastin pas denoncimit të punëtorit që u përballë me hajnat dhe kanë nisur kërkimet për t’i identifikuar dhe kapur personat e dyshuar.