Gjyqtari i akuzuar për vjedhje rryme propozohet për dhomën e posaçme

Nëntor 2019

Ndonëse ishte ngarkuar për një vepër penale në të kaluar, emri i gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Asllan Krasniqit, i është propozuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për t’u emëruar gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me AKP-në.

Krasniqi, ish-anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndodhet në listën prej pesë gjyqtarëve që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) i ka propozuar Presidentit të Kosovës për t’u emëruar gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Siç merr vesh Insajderi, gjyqtari i cili ka një njollë të zezë në karrierën e tij si shërbyes në sistemin juridik të shtetit – një vepër penale për vjedhje të rrymës elektrike – është përkrahur për t’u përzgjedhur si gjyqtar në Dhomën e Posaçme nga Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.

Peci ka qenë pjesë e Komisionit Vlerësues për propozimin e kandidatëve për gjyqtar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Me propozimin për këtë pozitë, në rast emërimi në detyrë nga presidenti Thaçi, Asllan Krasniqi do të merret me rastet pronësore milionëshe të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Insajderi.

Insajderi ka siguruar listën e kandidatëve të propozuar për emërim në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, pjesë e së cilës është Asllan Krasniqi. Aty thuhet se deri në vendimin e presidentit Thaçi, Krasniqi do vazhdojë të punojë si gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Në emër të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës z.Skender Çocaj, ju njoftojmë se KGJK në takimin e mbajtur me datën 25 tetor 2019, ka propozuar tek Presidenti i Republikës së Kosovës emërimin e gjyqtarëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit është pjesë e Gjykatës Supreme. Ajo është themeluar më 2011.

Ky institucion i drejtësisë ka trashëguar punën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës mbi çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, e themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut.