Gjilani synon rrugëtim më të gjatë në Evropë

Tre vjet më parë Fiton Hajdari kishte shënuar një gol të bukur nga distanca. Goli i Fitonit për Trepçën ’89 kundër Vikingurit ishte vlerësuar si gol i fitores për skuadrën mitrovicase, që po debutonte në skenën evropiane.

Pati ngjallur shpresë të madhe në Kosovë se Trepça ’89 mund ta kalonte raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja ishte mbyllur 2:1 në të mirë të skuadrës nga Ishujt Faroe, por goli i Hajdarit në udhëtim vlerësohej me shumë peshë. Për Hajdarin, njëjtë si për Trepçën ’89, ishte ndeshja e parë në Evropë, shkruan KOHA.

Hajdari edhe sot e kujton me krenari golin e shënuar, por një të tillë e mbase edhe më shumë shpreson t’i shënojë të enjten e ardhshme për t’ia siguruar kalimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës skuadrës së Gjilanit.

Gjilani të enjten luan në udhëtim kundër Tre Pennes së San Marinos, në kuadër të parakualifikimeve të Ligës së Evropës.

“Shpresoj në fitore dhe të kalojmë këtë raund të garave”, tha me zë të lartë Hajdari të premten pas stërvitjes, që Gjilani e zhvilloi në stadiumin e qytetit.

Për ta kaluar këtë raund garash, Gjilani ka nisur qe disa ditë stërvitjet. Synimi i futbollistëve, trajnerit dhe anëtarëve të klubit është debutimi i suksesshëm evropian.

“Jemi duke u përgatitur për një debutim të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Duam të shkruajmë historinë e klubit”, ka thënë drejtori i klubit Gjilani, Sevdail Robelli.

Drejt San Marinos, Gjilani do të niset të mërkurën nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”. Ndalesa e parë do të jetë në Rimini, ku prej aty do të vazhdojnë drejt San Marinos për t’u kthyer më pas me fitore përballë Tre Pennes.