Gjykata Speciale më 18 maj shpall aktgjykimin në çështjen Gucati dhe Haradinaj

Dhomat e Specializuara të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se më 18 maj do të shpallet aktgjykimi në çështjen e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në aktakuzën që rëndon mbi ta thuhet se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucati si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të Vetëm, Nikola Giju, përkatësisht më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.

Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mbylli paraqitjen e provave të veta. Mbrojtja e Gucatit filloi paraqitjen e provave të veta më 3 dhjetor 2021, e ndjekur nga Mbrojtja e Haradinajt më 15 dhjetor 2021. Të dy ekipet e Mbrojtjes mbyllën paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022. Gjatë 31 ditëve që zgjati gjykimi, ZPS-ja thirri katër dëshmitarë ndërsa të dy ekipet e Mbrojtjes u mbështetën në dëshmitë gojore të 10 dëshmitarëve dhe 18 deklaratave me shkrim të dëshmitarëve. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 14 deri më 17 mars 2022