Gazetari i njohur i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë të ditur se që nga sot në partinë e tij ka aderuar gazetari shumëvjeçar, Daut Dauti.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, Kurti ka shkruar për karrierën e Dautit, teksa ka thënë se Daut Dautin “në Lëvizje na thellohet dija e na zgjerohen njohuritë, përveçse i përforcojmë përparësitë tona ideore e programore”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Daut Dauti nga sot është zyrtarisht anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai ka doktoruar në shkollën e cila gëzon reputacion të lartë për studime të historisë, në Universitetin e Leedsit (University of Leeds) në temën: “Britain, the Albanian Question and the Demise of the Ottoman Empire 1876 – 1914” (Britania, çështja shqiptare dhe rënia e Perandorisë Otomane 1876-1914). Studimet e magjistraturës i ka kryer në ëest London University (ish Thames Valley University) ku ka studiuar Bashkimin Evropian, kurse Fakultetin Juridik e ka përfunduar në Prishtinë.

Dauti nga viti 1990 ka filluar karrierën e gazetarit të cilën e vazhdon edhe sot. Shkrimet e para i ka botuar në gazetën e studentëve “Bota e Re” dhe pastaj ka vazhduar në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ka raportuar nga Londra si korrespondent i “Zëri”-t, dhe, nga viti 1998 ka punuar si gazetar dhe redaktor në IëPR (Instituti për Raportime të Luftës dhe Paqes) në Londër, si dhe është themelues i kësaj zyre në Kosovë.

Në të kaluarën, nga viti 2000 deri më 2002, Dauti ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve dhe anëtar i Këshillit Qendror të Zgjedhjeve ku ka përfaqësuar mediat. Gjatë kësaj kohe ka qenë Sekretar i Shoqatës për Mendim dhe Veprim të Lirë të cilën e ka udhëhequr Adem Demaçi. Ai gjatë vitit 2004 ka qenë zëdhënës i Qeverisë (kryeministrit) të Kosovës. Pastaj ka kaluar në pozitën e konsulentit për media në IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrim) në Londër.

Në Kettering Foundation, një institut (think tank) i njohur amerikan për studime të politikës, gazetarisë, arsimit dhe demokracisë, i bazuar në Dejton (ShBA), Dauti ka studiuar çështjen e mediave në Kosovë, subjekt për të cilin ka botuar një varg librash dhe punimesh shkencore. Ai vazhdon të jetë anëtar i ekipit hulumtues shkencor i këtij instituti ku ka botuar punimet ‘Si të ndërtohen mediat e pavarura në Kosovë’, ‘Kuvendimi sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit’, ‘Procesi i lashtë i vendimmarrjes në mesin e shqiptarëve’, etj.

Gjithashtu, Dauti ka botuar edhe punime (libra) tjera shkencore të bazuara në arkiva të ndryshme, kryesisht të arkivit kombëtar në Londër dhe ku trajtohet historia e diplomacisë britanike ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit.

Me shkrimet në shtypin britanik dhe paraqitjet në mediat (televizionet dhe radiot) britanike është i njohur për debatet që për temë kanë Kosovën dhe Ballkanin. Me paraqitjet e tija publike dhe botimet e ndryshme konsiderohet edhe si njohës i politikës së jashtme britanike ndaj Ballkanit, e kryesisht ndaj hapësirës shqiptare.

Me Daut Dautin në Lëvizje na thellohet dija e na zgjerohen njohuritë, përveçse i përforcojmë përparësitë tona ideore e programore.

SHARE