Filloi procesi mësimor në shkollat e Komunës së Klinës

Pas përgatitjeve që ka bërë Komuna e Klinës, respektivisht drejtoria e Arsimit, në bashkëpunim me menaxhmentin e shkollave, sot në shkollat e Komunës së Klinës ka filluar procesi mësimor për klasat 0,I,II,III,IV,V,VI dhe X, duke respektuar udhëzimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Arsimit, z. Enver Gashi, sot kanë vizituar shkollën e mesme të lartë, “Luigj Gurakuçi” dhe SHML “Ismet Rraci” në Klinë, ku janë pritur nga drejtorët dhe mësuesit e dy shkollave.

Kryetari Elezaj ka uruar menaxhmentin e shkollës, mësuesit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor dhe iu ka uruar nxënësve sukses në rrugën e tyre të mësimnxënies, veçanërisht atyre që për herë të parë ulen në bankat shkollore.

Elezaj ka theksuar se të gjitha shkollat do të kenë përkrahjen e komunës, lidhur me furnizimin me mjete mbrojtëse si dhe ka kërkuar kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve të ekspertëve mjekësor, si nga nxënësit ashtu edhe nga mësuesit.

Po ashtu, Elezaj dhe Gashi, kanë bërë inspektimin e punimeve për renovimin e sallës së sportit në shkollën e mesme të lartë, “Luigj Gurakuçi”, ku punimet po vazhdojnë.